364 mln euro për ndërtimin e rrugëve, Projektet më të financuara gjatë vitit 2025 nga ARRSH
Autoriteti Rrugor Shqiptar rezulton institucioni me shpenzimet më të larta buxhetore për investime rrugore gjatë vitit 2025.
ARRSH me pagesat më të larta buxhetore
Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni buxhetor me vlerën më të madhe të pagesave të transaksioneve për vitin 2025. Sipas të dhënave nga Open Data Albania, ARRSH ka paguar gjatë vitit të kaluar 35,125,569,541 lekë, ose rreth 364 milionë euro. Krahasuar me vitin 2024, kur transaksionet përllogariteshin në 15.96 miliardë lekë, vlera e pagesave ka shënuar një rritje prej rreth 55%.
Korridori 8, projekti me financimin më të madh
Referuar tabelës së detajuar të shpenzimeve, një pjesë e konsiderueshme e fondeve është orientuar drejt projekteve të mëdha rrugore. Ndër më të financuarit gjatë vitit 2025 është ndërtimi i Korridorit 8, ku aktualisht po punohet në 13 lote të ndryshme. Prej tyre, 7 lote shtrihen nga Elbasani në Qafë Thanë, ndërsa 6 lote të tjera nga Elbasani në drejtim të Rrogozhinës.
Zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës
Një tjetër projekt me financim të konsiderueshëm është zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës, konkretisht dy kontratat e fazës I dhe II. Pagesat për këto kontrata janë evidentuar në transaksionet e thesarit gjatë vitit 2025, ndërsa punimet në këtë aks vijojnë paralelisht me projektet e tjera strategjike.
Projekte të tjera të financuara në 2025
Sipas të dhënave zyrtare, financim kanë marrë edhe punimet për rrugën Kombinat–Ndroq–Plepa, ku aktualisht po punohet, si dhe projektet Fier–Kthesa e Patosit–Fratar dhe Berat–Ballaban. Pagesa janë kryer gjithashtu për zgjerimin e rrugës së Ksamilit, ndërtimin e bypass-it të Shkodrës dhe për rrugën Cerenec–Peshkopi.
Unaza e Madhe e Tiranës
Pjesë e shpenzimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për vitin 2025 janë edhe disa kontrata të lidhura me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, e cila u hap për qarkullimin e automjeteve në fund të vitit 2024, por për të cilën vijuan pagesat edhe gjatë vitit pasardhës.